
Hyrje
Çështja e dhurimit të qumështit të gjirit është bërë objekt diskutimi të shtuar në kohët moderne, sidomos me shfaqjen e bankave të qumështit dhe praktikave të reja mjekësore që nuk kanë qenë të njohura në të kaluarën. Në Islam, kjo temë nuk trajtohet vetëm si çështje ushqimi apo kujdesi shëndetësor, por lidhet drejtpërdrejt me dispozita të rëndësishme juridiko-fetare, pasi gjidhënia mund të krijojë farefisni të posaçme dhe, rrjedhimisht, ndalime martesore. Për këtë arsye, juristët klasikë dhe bashkëkohorë e kanë trajtuar këtë temë me kujdes të veçantë, duke shqyrtuar bazat kuranore e profetike, qëndrimet e medhhebeve, mënyrat e vërtetimit të gjidhënies dhe sfidat moderne që sjellin bankat e qumështit. Ky shkrim synon të paraqesë një përmbledhje të këtyre qasjeve dhe implikimeve praktike të tyre.
1. Përkufizimi i gjidhënies (rada’)
Gjidhënie (ar. الرضاع / الرضاعة) do të thotë, që qumështi i një gruaje të konsumohet drejtpërsëdrejti përmes gjidhënies ose në një mënyrë tjetër. Fëmijët ushqehen me qumështin e gjirit të nënës biologjike, por ndodh edhe që të ushqehen nga nëna të tjera. Dhurimi i qumështit të gjirit është një çështje me rëndësi të dyfishtë. Nga njëra anë ka ndikim mjekësor e shoqëror dhe nga ana tjetër ka pasoja juridiko-fetare të rëndësishme lidhur me ndalimin martesor (hurmetin) e gjidhënies. Jurisprudenca islame e trajton këtë çështje gjerësisht, sepse qumështi i gjirit nuk është thjesht një substancë ushqimore, por ai krijon lidhje farefisnore të njohura nga sheriati, mes gruas gjidhënëse, të afërmve të saj dhe fëmijës.
Pas ushqyerjes me gji, për nga aspekti i martesës, gruaja konsiderohet porsi nëna biologjike e fëmijës që ka ushqyer. Kështu, ajo tashmë është nëna e dytë e fëmijës, fëmijët e nënës janë vëllezër dhe motra me fëmijën e mëkuar, si dhe bashkëshorti i gruas konsiderohet babai i qumështit të fëmijës (leben el-fahl). Çdo dispozitë juridiko-fetare martesore ndërtohet një herë e përgjithmonë mbi këto gjykime. Kështu, fëmija i mëkuar pengohet një herë e përgjithmonë nga martesa me fëmijët e nënës së qumështit.
Një çështje e rëndësishme në jurisprudencën e gjidhënies është ajo që juristët e quajnë leben el-fahl (qumështi i burrit), që nënkupton se qumështi i gruas juridikisht lidhet edhe me bashkëshortin prej të cilit është shkaktuar shtatzënia dhe lindja. Për pasojë, jo vetëm gruaja që ushqen me gji bëhet nënë e qumështit, por edhe bashkëshorti i saj konsiderohet babai i qumështit.
Bazë për këtë është hadithi i njohur i Aishes (r.a.), kur Profeti (s.a.s.) urdhëroi që të njihej lidhja e gjidhënies edhe nga ana e burrit, duke e konsideruar atë burim të farefisnisë së qumështit (Shih: Buhari, 5103; Muslim, 1445; Ebu Daud, 2057; Nesai, 3301).
Mbi këtë bazë, shumica e juristëve nga katër medhhebet pranojnë se ndalimet martesore nga gjidhënia shtrihen jo vetëm te të afërmit e gruas gjidhënëse, por edhe te të afërmit e bashkëshortit të saj. Prandaj, fëmija i mëkuar nuk mund të martohet me fëmijët biologjikë të burrit nga martesa të tjera, pasi konsiderohen vëllezër e motra nga qumështi.
Lidhja e gjidhënies krijon pengesa vetëm për martesë mes disa të afërmve të caktuar. Ajo nuk sjell pasoja të tjera juridike si e drejta e trashëgimisë, detyrimi i ushqimit dhe nevojave bazike financiare (nafaka) apo ndalimi i dëshmisë. Si dhe, nga aspekti i të afërmve të gjakut të fëmijës, nuk ka asnjë efekt.
2. Baza fetare e gjidhënies
Çështja e gjidhënies është shumë e ndjeshme, për këtë arsye, dijetarët klasikë e kanë trajtuar këtë temë me kujdes të madh, duke u mbështetur në Kuran, Sunet dhe analogji juridike.
Bazat themelore të kësaj çështjeje gjenden në Kuranin Fisnik të shprehura në ajetet e mëposhtme:
…وَإِنْ أَرَدتُّمْ أَن تَسْتَرْضِعُوٓا أَوْلَادَكُمْ فَلَا جُنَاحَ عَلَيْكُمْ إِذَا سَلَّمْتُم مَّآ ءَاتَيْتُم بِٱلْمَعْرُوفِ ۗ وَٱتَّقُوا ٱللَّهَ وَٱعْلَمُوٓا أَنَّ ٱللَّهَ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيرٌ
“Po ashtu, nuk është gjynah për ju nëse doni t’i gjeni fëmijës suaj ndonjë mëndeshë, me kusht që t’ia jepni atë që e keni menduar, sipas rregullave.Ta keni frikë Allahun dhe dijeni se Allahu i sheh mirë të gjitha punët që bëni ju.” (Bekara, 2:233)
وَالْوَالِدَاتُ يُرْضِعْنَ أَوْلَادَهُنَّ حَوْلَيْنِ كَامِلَيْنِ
që do të thotë: “Nënat le t’i ushqejnë fëmijët e tyre dy vite të plota…” (Bakara, 2:233). Ky ajet vendos periudhën kohore në të cilën gjidhënia ka efekt juridik. Ndërsa në një ajet tjetër thuhet:
وَأُمَّهَاتُكُمُ اللَّاتِي أَرْضَعْنَكُمْ وَأَخَوَاتُكُم مِّنَ الرَّضَاعَةِ
që do të thotë: “(Ju janë ndaluar për martesë) nënat tuaja që ju kanë dhënë gji dhe motrat tuaja nga gjidhënia…” (Nisa, 4:23). Ky tekst e bën të qartë se gjidhënia krijon një lidhje reale juridike që ndikon në martesë.
Këto ajete plotësohen nga hadithet profetike. Hadithi i Aishes (r.anha) sqaron edhe lidhjen me babain e qumështit:
عَن عائِشةَ، أنَّها أخبَرَتْه: أنَّ عَمَّها مِنَ الرَّضاعةِ يُسَمَّى أفلَحَ استَأذَنَ عليها فحَجَبَتْه، فأخبَرَت رَسولَ اللهِ صلَّى اللهُ عليه وسلَّم، فقال لَها: لا تَحتَجِبي منه؛ فإنَّه يَحرُمُ مِنَ الرَّضاعةِ ما يَحرُمُ مِنَ النَّسَبِ
Aishja (r.anha) tregon se xhaxhai i saj nga gjidhënia, i quajtur Eflah, kërkoi leje të hynte tek ajo, por ajo u mbulua (u tërhoq pas perdes) prej tij. Pastaj ajo e njoftoi të Dërguarin e Allahut (paqja qoftë mbi të), dhe ai i tha: “Mos u mbulo prej tij, sepse nga gjidhënia ndalohet ajo që ndalohet nga farefisnia (e gjakut).” (Buhari, 5103; Muslim, 1445; Ebu Daud, 2057; teksti nga Nesai, 3301)
Po ashtu, ai ka thënë:
إِنَّمَا الرَّضَاعَةُ مِنَ الْمَجَاعَةِ
që do të thotë: “Gjidhënia (që ka efekt juridik) është ajo që ndodh në kohën e foshnjërisë (kur ushqimi është i nevojshëm)” (Buhari, 2647; Muslim, 1455; Ebu Daud, 2058).
لا رَضاعةَ إلَّا ما كانَ في الحَوْلَينِ
“Nuk ka (efekt) gjidhënieje, veçse ajo që ka ndodhur brenda dy vjetëve” (Malik, el-Muvatta, 2/607; Bejhaki, el-Hilafijjat, 4705).
Këto hadithe sqarojnë se jo çdo gjidhënie ka efekt juridik, por ajo që ndodh në moshën e hershme.
Sa i përket vetë dhurimit të qumështit të gjirit, në parim ai është i lejuar në të gjitha medhhebet, sepse nuk ekziston ndonjë tekst që e ndalon në vetvete ushqyerjen e një fëmije nga një grua tjetër. Përkundrazi, në kohën e Profetit (s.a.s.) ishte praktikë e njohur që fëmijët të ushqeheshin nga gra të tjera, siç është rasti i Halime es-Sa’dijes, e cila ushqeu Profetin(s.a.s.).
3. Qasja e medhhebeve për shkakun e lidhjes së gjidhënies
Hanefitë dhe Malikitë e lejojnë dhurimin e qumështit të gjirit si veprim në vetvete, por vendosin kufij të qartë mbi pasojat e tij. Sipas shumicës së dijetarëve të fikhut, qumështi me të cilin fëmija ushqehet brenda dy viteve të para pasi lind, qoftë ushqyerje drejtpërdrejt nga gjiri apo nga një enë, qoftë pak apo shumë, është i mjaftueshëm për të krijuar lidhje farefisnore prej gjidhënies. Sipas kësaj, një vajzë dhe një djalë që janë ushqyer qoftë edhe një herë nga e njëjta grua brenda kësaj periudhe, nuk u lejohet të martohen me njëri-tjetrin. (Serahsi, el-Mebsut, 5/137; Kasani, Bedai’, 4/8; Ibn Abidin, Radd el-Muhtar, 3/209–213; Ibn Rushd, Bidaje el-Muxhtehid, 3/59-60)
Ndërsa Shafiitë dhe Hanbelitë ndjekin hadithin e Aishes (r.anha), sipas së cilës, për t’u krijuar lidhja e gjidhënies, është kusht që brenda dy viteve të para foshnja të ushqehet me gji pesë herë të ndara, ku çdo herë të arrijë ngopjen (Ibn Kudame, el-Mugni, 8/171; Shirbini, Mugni el-muhtaxh, 5/130-131; Mauerdi, el-Haui el-kebir, 9/196-198).
Qasja tradicionale e dijetarëve ka qenë, që pavarësisht vlerës shpirtërore (sevapit) të kësaj vepre, gjidhënia të lejohet pikë së pari, në kushte domosdoshmërie, në rast pamundësie të gjetjes së qumështit të vlefshëm për fëmijët, siç mund tëndodhë tek foshnjat premature ose sëmundjet e nënës. Pikë së dyti, gruaja që dëshiron të kryejë këtë vepër të informojë më parë bashkëshortin e saj dhe të marrë dakordësinë e tij. Dhe së treti, të ketë patjetër dëshmitarë dhe të dokumentohet në formën më të të sigurtë. P.sh., nëse është mundësia të përpilohet një deklaratë me shkrim dhe të noterizohet. Nëse ka institucione që e njohin ligjërisht gjidhënien, atëherë të regjistrohet.
Ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e dijetarëve bashkëkohorë kanë kufizuar gjidhënien për të parandaluar problematika të mëdha, të cilat në vende të ndryshme të botës kanë shkaktuar pengesa martese mes individësh, të cilët janë informuar shumë vonë për relatë për shkak të gjidhënies ose kanë shkaktuar divorce, për shkak se janë informuar pas martese, që kanë relata gjidhënieje. Ata janë bazuar në faktin se ditët e sotme, ka mundësi të tjera për të zëvendësuar qumështin e nënës, në rast se nëna nuk prodhon qumësht ose ka probleme shëndetësore, ndër të cilat edhe qumështi për fëmijë që këshillohet nga mjekët dhe mund të gjendet në farmaci.
4. Vërtetimi i gjidhënies
Farefisnia nga gjidhënia vërtetohet në dy mënyra kryesore: me ikrar (pranim/deklarim) dhe me bejjine (dëshmi). Ikrari nënkupton që burri dhe gruaja, ose njëri prej tyre, ta pranojnë ekzistencën e lidhjes së gjidhënies. Nëse deklarimi vjen vetëm nga gruaja, juristët kanë disa hollësi të veçanta mbi ndikimin e tij, sidomos kur burri nuk e pranon këtë pretendim.
Mënyra e dytë është përmes dëshmisë para gjykatës, ku shumica e medhhebeve pranojnë si standard dëshminë e dy burrave, ose një burri dhe dy grave. Megjithatë, ka mospajtime lidhur me dëshminë vetëm nga gratë: hanefitë nuk e konsiderojnë të mjaftueshme, ndërsa shafiitë, hanbelitë dhe malikitë kanë qëndrime më lehtësuese dhe në rrethana të caktuara e pranojnë, pasi ajo është çështje që zakonisht njihet më shumë nga gratë.
5. Ndalimet martesore nga gjidhënia
Sipas shumicës së juristëve, për shkak të farefisnisë nga gjidhënia nuk lejohet martesa me kategoritë e mëposhtme:
a) Paraardhësit nga gjidhënia (nëna e gjirit, babai i gjirit, gjyshet e gjirit, gjyshërit e gjirit).
b) Pasardhësit nga gjidhënia (fëmijët e gjirit, nipërit e mbesat e gjirit).
c) Pasardhësit e nënës dhe babait të gjirit, qoftë përmes farefisnisë së gjakut apo asaj të gjidhënies. Këtu përfshihen edhe vëllezërit e motrat e gjirit nga i njëjti baba. Për shembull, nëse një burrë ka dy gra dhe njëra ushqen me gji një djalë, ndërsa tjetra një vajzë, këta konsiderohen vëlla e motër të gjirit nga ana e babait dhe nuk mund të martohen me njëri-tjetrin.
d) Fëmijët e gjyshit dhe gjyshes së gjirit (halla e gjirit, xhaxhai i gjirit, tezja e gjirit, daja i gjirit).
e) Paraardhësit nga gjidhënia të bashkëshortit/es (nëna e gjirit e bashkëshortes, babai i gjirit, gjyshet dhe gjyshërit e gjirit të saj/tij).
f) Pasardhësit nga gjidhënia të bashkëshortit/es (fëmijët e gjirit dhe nipërit/mbesat e gjirit të tij/saj).
g) Bashkëshortët e paraardhësve nga gjidhënia (bashkëshortët e nënës së gjirit, babait të gjirit, gjyshërve dhe gjysheve të gjirit).
h) Bashkëshortët e pasardhësve nga gjidhënia (bashkëshortët e fëmijëve të gjirit dhe të nipërve/mbesave të gjirit).
Dy gra që janë të afërta nga gjidhënia në atë mënyrë që, po të supozohej njëra burrë, martesa mes tyre do të ishte e ndaluar, nuk mund të mbahen njëkohësisht nën një nikah.
Sipas Ibn Tejmijes dhe Ibn Kajjim el-Xheuzijes, të afërmit krushqorë (sihri) të farefisnisë nga gjidhënia, domethënë ata që u përmendën te pikat e, f, g dhe h, nuk konsiderohen farefis nga gjidhënia. Po ashtu, sipas tyre, dy gra që janë të lidhura si farefis nga gjidhënia, është e lejuar të mbahen njëkohësisht nën një nikah.
6. Bankat e Qumështit
Bankat e qumështit të gjirit (milk banks) janë objekt debati të veçantë. Shumica e juristëve bashkëkohorë janë të rezervuar ose kundër tyre, sepse:
a) Qumështi i grumbulluar nga dhurues të shumtë dhe i dhënë fëmijëve të ndryshëm, mund të krijojë lidhje qumështi të pagjurmueshme dhe të fshehta mes familjesh të ndryshme. Kjo do të sillte rrezikun e martesave të ndaluara.
b) Konkluzione konkrete të institucioneve të të drejtës islame janë të mendimit se bankat e qumështit nuk lejohen, kur nuk ka mundësi identifikimi biologjik të fëmijëve që marrin qumësht, posaçërisht kur bashkohen shumë dhurues (Shih: Mexhma’, Ndalimi i bankave të qumështit).
Dar al-Ifta egjiptiane ka dhënë një qasje më fleksibile, ku në disa raste e lejon konceptin e milk banks, sidomos në nevojë mjekësore (Shih: Dar el-Ifta, ëhat is the legal opinion for establishing a bank for storing mothers’ milk in a Muslim country?) Por kështu Diyaneti i Turqisë e lejon por me kushtëzime të shumta (Shih: Diyanet, “Anne Sütü Bankası” konusunda Diyanet’ten açıklama).
Për këtë arsye, një pjesë e madhe e tyre e ndalojnë këtë praktikë në formë anonime, ndërkohë që e lejojnë vetëm nëse identiteti i nënës dhe i fëmijës regjistrohet saktë dhe ruhet.
7. Rekomandime praktike
Nëse dikush dëshiron të dhurojë qumësht gjiri,
- Të bëhet në rast domosdoshmërie jetike.
- Të bëhet për fëmijë të identifikuar konkretisht.
- Bashkëshorti i gruas dhuruese dhe prindërit e fëmijës të informohen plotësisht.
- Të ruhet dokumentacion i datave dhe sasisë.
- Të shmanget kontributi në banka anonime qumështi, sidomos kur nuk ka sistem gjurmimi.
- Familjet e të dyja palëve të mbajnë shënime për të shmangur martesa problematike në të ardhmen.
8. Konkluzione
Bazuar mbi analizën e medhhebeve dhe parimeve juridiko-fetare, mund të formulohen konkluzionet e mëposhtme:
a) Dhurimi individual dhe i dokumentuar preferohet të kufizohet në raste domosdoshmërie. Nëse një grua, në rast domosdoshmërie dhe mungese zgjidhjeje alternative, i dhuron qumështin e gjirit një fëmije konkret, me dijeninë e të dyja familjeve dhe me dokumentim të saktë, kjo vepër konsiderohet e lejueshme. Për shafiitë dhe hanbelitë, nëse sasia mbetet nën pesë gjidhënie të plota, nuk ka as pasoja juridike.
b) Dhurimi anonim ose nëpërmjet bankave kolektive të qumështit është problematik dhe shumica e juristëve e kanë ndaluar atë. Rreziku i pasojave juridiko-fetare të fshehta është real dhe i vështirë për t’u menaxhuar.
c) Fëmijët e vegjël nën dy vjeç janë subjekti i vetëm i gjidhënies me efekt juridik. Dhurimi i qumështit për të rritur, p.sh., si ushqim apo ilaç, nuk krijon ndalime martesore (mahremijet).
Allahu di gjithçka më së miri! /insi.al/
Referencat
1. Fikhu Hanefi
- Serahsi, el-Mebsut, https://shamela.ws/book/5423, Aksesi më 13 prill 2026.
- Kasani, Bedai’ es-Sanai’, https://shamela.ws/book/8183, Aksesi më 13 prill 2026.
- Ibn Abidin, Radd el-Muhtar, https://shamela.ws/book/21613, Aksesi më 13 prill 2026.
2. Fikhu Maliki
- Ibn Rushd, Bidaje el-Muxhtehid, https://shamela.ws/book/21739, Aksesi më 13 prill 2026.
3. Fikhu Shafii
- Shirbini, Mugni el-muhtaxh, https://shamela.ws/book/11444, Aksesi më 13 prill 2026.
- Mauerdi, el-Haui el-kebir, https://shamela.ws/book/6157, Aksesi më 13 prill 2026.
4. Fikhu Hanbeli
- Ibn Kudame, el-Mugni, https://shamela.ws/book/8463, Aksesi më 13 prill 2026.
5. Veprat e Hadithit sipas dorar.net, Aksesi më 13-26 prill 2026.
- Buhari, Sahih.
- Muslim, Sahih.
- Ebu Daud, Sunen.
- Nesai, Sunen.
- Malik, el-Muvatta.
- Bejhaki, el-Hilafijjat.
6. Qendra të fetvasë
- Mexhma’ el-Fikh el-Islami ed-Duveli, Rezoluta nr. 6 (6/2), Jeddah, 1985 në lidhje me Ndalimi i bankave të qumështit, https://iifa-aifi.org/ar/1584.html, Aksesi më 26 prill 2026.
- Dar el-Ifta el-Misrijje, https://dar-alifta.org/en/fatwa/details/7437/what-is-the-legal-opinion-for-establishing-a-bank-for-storing-mothers’-milk-in-a?utm, Aksesi më 26 prill 2026.
-
Diyanet, “Anne Sütü Bankası” konusunda Diyanet’ten açıklama, https://diyanet.gov.tr/tr-TR/Kurumsal/Detay/989/anne-sutu-bankasi-konusunda-diyanetten-aciklama, Aksesi më 26 prill 2026.

