Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

kamata riba

KAMATA NË ISLAM

(Riba)

Hyrje

Kamata është një nga problemet më të vjetra të jetës ekonomike. Si një fitim i padrejtë, ajo nuk ka asnjë bazë as racionale dhe as morale.

Në literaturën klasike islame kamata quhet riba. Fjala riba në fjalor ka kuptimet: “tepricë, shtim, rritje, shumim; ngritje lart; (për trupin) zhvillim dhe rritje.” Në literaturën e fikhut, riba është shtesa që merret duke kthyer një hua në para ose mall pas një periudhe të caktuar të shoqëruar me një tepricë të përcaktuar, ose shtesa që merret duke i dhënë afat shtesë një borxhi që nuk është shlyer në kohë dhe duke e kthyer atë me rritje për shkak të këtij afati.

Në periudhën e para-islame, borxhliu i drejtohej kreditorit duke i thënë: “Nëse ma shtyn afatin e borxhit, do të të jap kaq e aq më shumë”, dhe kreditori ia shtynte afatin (Taberî, VI, 8 (6235)).

Fjala riba, e cila përmendet në tetë vende në Kuran, është përdorur në këtë kuptim zakonor; ndërsa në hadithe, duke i dhënë një dimension të ri këtij koncepti, është përgatitur baza për ndarjen dhe emërtimet në literaturë si: kamata e shtyrjes/kamata e tepricës (riba en-nesie/riba el-fadl) ose kamata e borxhit/kamata e tregtisë (riba ed-dejn/riba el-bej’).Ndryshe kamata është quajtur fitim pa asgjë në këmbim. Prandaj është konsideruar si një shkelje e të drejtës pronësore të njeriut.

1. Kamata në Kuran dhe Hadith

Kamata shprehet në këto ajete kryesore: Bakara, 2:275-279, Al Imran, 3:130, Nisa, 4:160-161 dhe Rum, 30:39. Në këto ajete, kamata përshkruhet si një praktikë e ndaluar rreptësisht dhe e padrejtë, e cila e çon njeriun në devijim moral dhe shpirtëror, deri në atë pikë sa gjendja e tij krahasohet me atë të një të çmenduri të prekur nga shejtani. Ajo paraqitet si e kundërta e tregtisë së lejuar, duke theksuar se Allahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën. Kamata nuk sjell bereqet, përkundrazi “zhduket” nga Allahu, ndërsa lëmosha shtohet dhe bekohet. Besimtarët urdhërohen të heqin dorë plotësisht prej saj, përndryshe paralajmërohen me “luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij”, çka tregon peshën e rëndë të këtij mëkati. Gjithashtu, ajo lidhet me padrejtësinë ndaj të tjerëve dhe me përvetësimin e pasurisë në mënyrë të paligjshme, ndërsa çdo fitim që buron prej saj nuk ka vlerë te Allahu dhe nuk sjell dobi reale në jetën shpirtërore.

Dy hebrenj erdhën te Profeti (s.a.s.) dhe e pyetën për kuptimin e ajetit: “Ne i dhamë Musait nëntë shenja të qarta” (Isra,17:101). I Dërguari i Allahut u përgjigj se këto nëntë shenja përbëhen nga nëntë gjëra të ndaluara, ndër të cilat përfshihet edhe ndalimi i kamatës (et-Taberi, 17/567). Kështu që kamata rezulton si një praktikë e ndaluar që më parë.

Ndërkohë që Profeti (s.a.s.) është shprehur ngjashëm me ajetet kuranore në lidhje me çështjen e kamatës. Xhabiri (r.a.) ka thënë:

لَعَنَ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ أَكَلَ الربا، وموكله، وَكَاتِبَهُ، وَشَاهِدَيْهِ، وَقَالَ: هُمْ سَوَاءٌ

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka mallkuar atë që merr kamatë, atë që e jep, atë që e shkruan marrëveshjen me kamatë dhe dëshmitarët e saj, dhe ka thënë: “Ata janë të barabartë në mëkat!” (Muslim, Musakat 22 (h.nr. 1598))

2. Llojet e kamatës

Kamata ndahet në dy lloje: kamata e borxhit (riba en-nesie) dhe kamata e tregtisë (riba el-fadl).

a) Kamata e borxhit (riba en-nesie)

Kamata e borxhit është shtesa që kushtëzohet për shkak të afatit në mall ose para, që duhet të paguhet për një borxh të krijuar përmes huasë, shitblerjes apo në forma të tjera.

Kamata mbi të cilën është përqendruar dhe që e ka ndaluar Kurani, është kryesisht kamata e borxhit. Megjithatë, kjo formë kamate përmendet edhe në hadithe. Për shembull, gjatë Haxhit të Lamtumirës, kur u shpall ndalimi i çdo lloji kamate, u theksua se kapitali (shuma bazë) i përket kreditorit (borxhdhënësit), duke aluduar kështu për kamatën e borxhit.

b) Kamata e tregtisë (riba el-fadl)

Kamata e tregtisë është ajo që lind në shitblerjet e mallrave ose parave, qoftë me pagesë të menjëhershme apo me afat. Kjo ndahet në dy lloje:

1. Kamata e tepricës

Është kamata që lind nga shkëmbimi i menjëhershëm i mallrave apo parave të të njëjtit lloj, por me pabarazi në sasi. P.sh., shkëmbimi i një kilogrami hurma me dy kilogramë hurma. Lloji është i njëjtë, janë hurma, por sasia është e ndryshme.

2. Kamata e shtyrjes (veresije)

Është kamata që lind kur në shkëmbimin e mallrave (të njëjta apo të ndryshme), pagesa e njërës ose të dyja palëveshtyhen në kohë. P.sh., në shkëmbimin e një kilogrami grurë me dy kilogramë elb, kur dorëzimi i njërës palë shtyhet, qoftë edhe për një afat të shkurtër, quhet kamatë.

Profeti (alejhisselam) ka thënë:

إنَّمَا الرِّبَا فِي النَّسِيئَةِ

“Riba është vetëm në shtyrje (veresije)” (Muslim, h.nr. 1596) Qëllimi i këtij pohimi të Pejgamberit nuk është të tregojë se kamata ndodh vetëm në shitjen me afat (veresije). Ajo që përmendet këtu, siç kuptohet edhe nga pjesa e parë e hadithit, është se përveç sqarimit se teprica në shkëmbimin e menjëhershëm të mallrave të së njëjtës lloj përbën kamatë, gjithashtu shpjegohet se edhe shtyrja (veresije) në shkëmbimin e dy mallrave, qofshin të së njëjtës apo të ndryshme, përbën kamatë (Shih: el-Bejhaki, es-Sunen el-kubra, 5/461 (10497)).

Ndërkohë, shitblerja e një malli me para, me pagesë të vonuar nuk hyn në këtë ndalim. Prandaj, shitja me afat që lejohet në Islam, është ajo ku njëra nga kundërvlerat është para. Në një transaksion me para, qoftë kur malli dorëzohet menjëherë dhe pagesa shtyhet, qoftë kur pagesa bëhet menjëherë dhe dorëzimi i mallit shtyhet, shitblerja është e lejuar. Nevojat e njerëzve për blerje me afat, duke marrë parasysh këtë veçori të parasë, kanë bërë që të lejohet vetëm transaksioni me afat në formën mall-para ose para-mall. Dallimi midis dy kategorive, d.m.th., që njëra është para dhe tjetra mall, heq mundësinë e krahasimit të tyre. Kjo e bën të pamundur të thuash se njëra vlen më shumë ose më pak se tjetra, dhe si rrjedhojë, raporti i kamatës midis dy vlerave ndërpritet.

3. Arsyet e shkëmbimit të mallrave të njëjta

Mund të lindë pyetja pse shkëmbehen mallra të të njëjtit lloj. Kjo ndodh për shkak të nevojave të njerëzve. P.sh.: një person që ka flori të papërpunuar mund të ketë nevojë për ar të përpunuar, një tjetër mund të dëshirojë të ndërrojë byzylyk me varëse, dikush me hurma të thata mund të kërkojë hurma të freskëta, etj. Këto forma shkëmbimi kanë qenë të përhapura në kohën e Pejgamberit (s.a.s.) dhe vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot.

Kamata e tregtisë është ndaluar kryesisht në hadithe. Në shembujt që ka dhënë Pejgamberi (s.a.s.) (ari, argjendi, hurmat, gruri, elbi dhe kripa), bëhet fjalë për këtë lloj kamate.

Megjithatë, duhet theksuar se në shitblerjen me para, qoftë me pagesë të menjëhershme apo me afat, nuk konsiderohet kamatë. Prandaj, nuk duhet ngatërruar kamata që lind nga shkëmbimi i mallrave të njëjta me pagesë të shtyrë, me shitblerjen e zakonshme me pagesë me afat.

4. Gjykimi mbi kamatën

Islami e ka ndaluar kamatën në të gjitha format e saj, e cila ishte shumë e përhapur në periudhën para-islame.

Ndalimi i saj është i vërtetuar me Kuran, Sunet dhe Ixhma (konsensus).

a) Argument nga Kurani

Në Kuranin Famëlartë kamata është trajtohet në mënyrë të drejtpërdrejtë.

وَأَحَلَّ اللَّهُ الْبَيْعَ وَحَرَّمَ الرِّبَا

“Allahu e ka lejuar tregtinë dhe e ka ndaluar kamatën.” (Bakara, 2:275)

b) Argument nga Suneti

Prej hadithit që u përmend më lart është deduktuar edhe qasja juridike që mbështet ajetet kuranore. Aty thuhet:

لَعَنَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ آكِلَ الرِّبَا وَمُوكِلَهُ وَشَاهِدَهُ وَكَاتِبَهُ. وقال: هُم سَواءٌ

“I Dërguari i Allahut (sallallâhu alejhi ve sellem) ka mallkuar atë që merr kamatë, atë që e jep, atë që dëshmon për të dhe atë që e shkruan atë. Dhe tha: Të gjithë janë të barabartë. (Muslim, Musakat 22 (h.nr. 1598))

Kamata e borxhit është ndaluar në vitin e dytë ose të tretë pas Hixhretit, ndërsa kamata e tregtisë është ndaluar pesë vite më vonë, gjatë betejës së Hajberit.

I Dërguari i Allahut (sallallâhu alejhi ve sellem) ka thënë:

الذَّهَبُ بالذَّهَبِ، والفِضَّةُ بالفِضَّةِ، والبُرُّ بالبُرِّ، والشَّعيرُ بالشَّعيرِ، والتَّمرُ بالتَّمرِ، والمِلحُ بالمِلحِ، مِثلًا بمِثلٍ، سَواءً بسَواءٍ، يَدًا بيَدٍ ، فإذا اختَلَفَت هذه الأصنافُ فبيعوا كيفَ شِئتُم إذا كانَ يَدًا بيَدٍ 

Ar për ar, argjend për argjend, grurë për grurë, elb për elb, hurma për hurma, kripë për kripë, shkëmbehen të së njëjtës lloj në mënyrë të barabartë dhe dorazi. Nëse llojet e mallrave ndryshojnë, atëherë shisni si të dëshironi, me kusht që të jetë dorazi (Muslim, Musakat 81 (h.nr. 1587)).

Ndërkohë është diskutuar edhe çështja që a është kamata e kufizuar me këto gjashtë lloje produktesh apo këto janë disa shembuj për t’na treguar që vlen e njëjta gjë për çdo kategori.

Megjithësi disa prej juristëve e kanë kufizuar kamatën vetëm në rast të këtyre gjashtë produkteve, mendimi i shumicësdërrmuese (xhumhurit) është se këto gjashtë produkte përmenden si shembuj, sepse atëherë ishin mallrat më të kërkuar dhe më të shkëmbyer. Kjo nuk do të thotë se kamata lind vetëm tek këto mallra (Ibn Rushd, Bidaje el-muxhtehid, 3/149).

5. Nënçështje të ndryshme

Siç u përmend më lart, kamata është cituar në mënyrë shumë eksplicite, të qartë dhe pa lënë hapësira për ekuivoke, si një ndër veprat më të dëmshme për sistemet ekonomike dhe shoqërore, që shpie në shkelje themelore të të drejtës së pronës dhe shkakton konflikte madhore. Prandaj në Islam çdokush që përfshihet në një marrëdhënie, ku qoftë edhe pjesërisht bëhet fjalë për aplikim të kamatës, është quajtur mëkatar, veprimet në fjalë janë ndër mëkatet më të mëdha dhe në jurisprudencën islame janë quajtur të pavlefshme.

Pavarësisht se kamata zë një hapësirë shumë të gjerë në transaksionet e sotme, duke nisur që nga sistemet bankare e deri tek institucionet kredituese, Islami nuk ka hedhur asnjë hap pas dhe të gjitha këto institucione i ka gjykuar të ndaluara fetarisht. Çdo mysliman ka për detyrë të shmangë maksimalisht institucionet të cilat funksionojnë me kamatë. Prandaj si rezultat dalin çështjet e mëposhtme:

  • Çdo lloj kredie me përqindje fikse ose të ndryshueshme hyn në kategorinë e kamatës.
  • Përqindja fikse që i japin bankat personave për shkak të përdorimit të llogarisë bankare është në kategorinë e kamatës. Disa qendra bashkëkohore të fetvasë, nuk e kanë quajtur kamatë këtë përqindje, sepse është një trajtë bashkëpunimi financiar, historikisht i lejuar në të drejtën islame. Këtu kushtëzohet që banka të mos funksionojë me kamatë në tërësi.

a) Interesi bankar

Interesi bankar në thelb përbën një shtesë të garantuar mbi kapitalin e dhënë hua dhe, sipas shumicës së dijetarëve klasikë dhe bashkëkohorë, hyn në kategorinë e kamatës se borxhit, pasi është fitim i kushtëzuar mbi kohën pa rrezik real ekonomik. Megjithatë, në diskursin bashkëkohor ka edhe mendime që bëjnë dallime mes sistemeve financiare moderne dhe formave klasike të kamatës, sidomos në kontekste inflacioni dhe funksionimi të bankave si ndërmjetës financiar. Pavarësisht këtyre diskutimeve, qëndrimi dominues mbetet se interesi bankar është i ndaluar, ndërsa alternativat islame përpiqen të bazohen në ndarje rreziku dhe fitimi (si murabaha, mudarabe, etj.) (Shih: Usmani, f. 17-126).

Disa juristë bashkëkohorë, nuk e kanë quajtur kamatë interesin që përfiton individi nga përdorimi i llogarisë bankare, sepse është një trajtë bashkëpunimi financiar, historikisht i lejuar në të drejtën islame. Këtu kushtëzohet që banka të mos funksionojë me kamatë në tërësi.

b) Kartat e kreditit

Kartat e kreditit në vetvete nuk janë domosdoshmërisht të ndaluara, por problematika qëndron te mënyra e përdorimit të tyre. Nëse përdoruesi e shlyen detyrimin brenda afatit pa u ngarkuar me interes, atëherë përdorimi konsiderohet i lejuar nga shumë dijetarë, pasi funksionon si një mjet pagese. Ndërsa nëse pagesa shtyhet dhe mbi të aplikohet interes, atëherë kjo hyn në kategorinë e kamatës së ndaluar. Disa dijetarë janë më të kujdesshëm dhe e shohin problematike edhe vetë kontratën, pasi përfshin potencial për kamatë, ndërsa të tjerë e lejojnë me kusht shmangien e çdo interesi.

c) Inflacioni

Inflacioni paraqet një sfidë të re në diskutimin e kamatës, pasi ulja e vlerës së parasë me kalimin e kohës ngre pyetjen nëse kthimi i së njëjtës shumë nominale përbën padrejtësi ndaj kreditorit. Disa juristë bashkëkohorë argumentojnë se në raste inflacioni të lartë, mund të merret parasysh ruajtja e vlerës reale të parasë, duke mos e konsideruar këtë si kamatë, por si kompensim për humbjen e fuqisë blerëse. Ndërsa shumica tradicionale mbetet në qëndrimin se çdo shtesë e kushtëzuar mbi borxhin është kamatë, pavarësisht inflacionit. Kjo çështje mbetet ndër debatet më të hapura në financën islame moderne.

Përfundim

Kamata, si riba, është një koncept që në Islam trajtohet me seriozitet maksimal dhe është konsideruar mëkat i madh, pasi përbën fitim pa asnjë kontribut real dhe padrejtësi ndaj tjetrit. Kurani dhe hadithet e Pejgamberit (s.a.s.) e ndalojnë qartë, duke bërë dallimin mes tregtisë së lejuar dhe fitimit të padrejtë. Ndarja në kamata borxhi (riba en-nesie) dhe kamata tregtie (riba el-fadl) ndihmon të kuptohet se nuk çdo transaksion me afat apo shkëmbim mallrash përbën kamatë. Në kohën moderne, sfidat e reja si interesi bankar, përdorimi i kartave të kreditit dhe inflacioni, kërkojnë qasje të kujdesshme, por parimi themelor mbetet i pandryshuar: çdo fitim i kushtëzuar mbi kohën pa rrezik real përbën kamatë dhe duhet shmangur. Njohja dhe respektimi i këtyre rregullave nuk është vetëm çështje fetare, por kontribuon edhe në drejtësi ekonomike dhe stabilitet social.

Ndërkohë që përdorimi i bankave që funksionojnë me kamatë mbetet një diskutim i gjerë që ka ndarë juristët në dy palë. Një pjesë e tyre konsiderojnë që për sa kohë që vetë individi nuk bëhet palë që merr ose jep kamatë, atëherë përdorimi i bankës, si hapja e llogarisë bankare, përdorimi i kartave të debitit apo kreditit, përdorimi i sistemit online, etj., janë të lejuara. Por një pjesë tjetër, që e sheh më strikt çështjen, të cilët konsiderohen të lidhur me traditën, konsiderojnë që çdokush i përfshirë në një farë mënyre me bankat që funksionojnë me kamatë, jep në mënyrë indirekte një kontribut në sistemin e kamatës dhe kjo është e ndaluar. Sipas kësaj qasjeje, përdorimi i bankës dhe i shërbimeve të saj duhet të jetë i limituar me çështjet e pashmangshme dhe të domosdoshme. Kjo sqarohet me konceptin e umum el-belua, që për shkak të situatave të përgjithshme të vështirësisë ose nevojës, praktika të ndaluara i kthen në të lejuara brenda limitit të domosdoshmërisë dhe emergjencës.

Bibliografia

Et-Taberi, M. I. Xh. (pa datë). Xhami’ el-bejan ‘an te’uil aj el-Kur’an (Vëll. 6). Dar et-Terbije ue et-Turath.

Ibn Rushd, M. (2004). Bidaje el-muxhtehid ue nihaje el-muktesid (Vëll. 3). Dar el-Hadith.

El-Bejhaki, A. B. H. (2003). Es-Sunen el-kubra (Vëll. 5). Dar el-Kutub el-Ilmijje.

Usmani, M. T. (1999) An Introduction to Islamic Finance. Idara Isha’at-e-Diniyat (P) Ltd.

 

Literaturë bashkëkohore

Tarek S. Zaher And M. Kabir Hassan, “A Comparative Literature Survey of Islamic Finance and Banking”.

Ashfaq Ahmad, Kashif-ur-Rehman and Asad Afzal Humayoun, “Islamic banking and prohibition of Riba/interest”.

Muhammad Asri Aidid, “The Transformation of Interest Prohibition: A Comparative Study of Riba (Usury) in Contemporary Financial Systems ”.

Diana Carina Azoitei, “Critical Analysis of the Contemporary Application of Riba in Islamic Banking”.

Nidaa Masood, “The Concept of Riba – a comparative analysis of the dichotomy between eastern and western writings regarding Riba’s ambit and rationale”.

Robert Shepard, “Navigating the Prohibition of Ribā in the Modern Islamic World”. /insi.al/