Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

bajrami dhe xhumaja ne nje dite

Në radhë të parë duhet të ritheksojmë gjykimin fetar për secilin namaz. Namazi i xhumasë, që falet vetëm me xhemat, është farz ajn, pra detyrim individual për çdo mashkull mysliman sipas të gjithë juristëve. Namazi i bajramit sipas medhhebit hanefi është vaxhib, pra detyrim për çdo mashkull mysliman. Sipas medhhebit hanbeli është farz kifaje, pra detyrim kolektiv. Nëse një pjesë e myslimanëve e falin atë, atëherë bie detyrimi nga pjesa tjetër. Kurse sipas medhhebeve shafii dhe maliki namazi i bajramit është sunet muekkede, pra sunet i fortë.

Çështjet adhurimore zakonisht e kanë gjykimin fetar të përcaktuar që shumë më parë. Sepse ato nuk janë çështje që ndryshojnë me kalimin e kohës, prandaj nuk kanë nevojë për përditësim. Prandaj edhe këtu kemi shpalosur mendimet e secilit medhheb.

Sipas hanefive dhe malikive detyrueshmëria e xhumasë është e padiskutueshme dhe nuk bie me përkimin e ditës së bajramit dhe pjesëmarrjen në namazin e bajramit (el-Merginani, el-Hidaje, 1/191). Për këtë arsye, edhe nëse e kemi falur namazin e bajramit, falja e xhumasë është obligim si çdo xhuma tjetër. Sipas hanefive vazhdimësia e obligueshmërisë së xhumasë prevalon. Sepse në ajet thuhet:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِذَا نُودِيَ لِلصَّلَاةِ مِنْ يَوْمِ الْجُمُعَةِ فَاسْعَوْا إِلَى ذِكْرِ اللَّهِ وَذَرُوا الْبَيْعَ

O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju! (Xhumua, 62:9)

Për më tepër që xhumaja është më e fortë se bajrami, pasi është farz. Nëse nuk bie ajo që është më e dobët, atëherë aq më shumë nuk bie ajo që është më e fortë.

Sipas hanbelive ai që ka marrë pjesë në namazin e bajramit lirohet nga obligimi i pjesëmarrjes në xhuma, por ai fal namazin e drekës në vend të saj. Ndërsa imami duhet ta falë xhumanë për ata që duan të marrin pjesë. Ibn Tejmije është një nga mbrojtësit më të zellshëm të këtij mendimi, duke justifikuar tre medhhebet e tjerë me mungesë informacioni të sunetit të Profetit (s.a.s.). Argumenti për këtë çështje është transmetimi i Ebu Daudit nga Ebu Hurajra (r.a.), ku Profeti (s.a.s.) ka thënë:

 قدِ اجتمعَ في يومِكم هذا عيدانِ فمن شاءَ أجزأَهُ منَ الجمعةِ وإنَّا مجمِّعونَ

“O njerëz! Ju keni arritur një mirësi të madhe. Kush dëshiron të marrë pjesë në xhuma, le të marrë pjesë; ne do ta falim atë.” (Ebu Daud, 1073)

Megjithatë, ky argumentim nuk duket se përkon me informacionet që gjejmë në librat e fikhut. Sidomos kur bëhet fjalë për Imam Malikun, i cili është imami i banorëve të Medinës dhe që praktikën e medinasve (amel ehl el-Medine) e ka bazë argumentuese thelbësore në mendimin e tij juridik.

Sipas shafiive detyrueshmëria e namazit të xhumasë bie vetëm për besimtarët që vinë nga larg qytetit për të marrë pjesënë xhuma. Imam Shafiu bën dallim mes banorëve të qytetit dhe atyre të zonave të largëta. Kjo është bazuar në lejen që i ka dhënë Osmani (r.a.) personave që vinin nga larg për të marrë pjesë në namazin e bajramit dhe pastaj detyroheshin të riktheheshin për namazin e xhumasë (Buhari, 5572; Muvatta, 613). Por pjesa tjetër e banorëve kanë detyrim faljen e xhumasë.

Prandaj, hadithi i mësipërm i Ebu Daudit ka të bëjë me banorë, që vinin nga larg dhe ata xhumanë nuk e kishin farz as në javët e tjera për shkak të largësisë. Kështu Profeti (s.a.s.) ia ka lehtësuar edhe më tepër. Ndërkohë që vetë i Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk ka lënë asnjë xhuma.

Konkluzion

Shohim që xhumhuri, pra shumica dërrmuese e juristëve, nuk e shfuqizojnë detyrueshmërinë e faljes së xhumasë, pavarësisht se besimtari mund të ketë falur namazin e bajramit. Prandaj ndjekësit e këtyre medhhebeve nuk mund ta braktisin xhumanë. Në anën tjetër, edhe po të jemi ndjekës të medhhebit hanbeli, më e mira dhe më e shpërblyera është që besimtari të falë namazin e bajramit me xhemat dhe pastaj të falë namazin e xhumasë, përderisa nuk ka ndonjë arsye që e pengon nga falja e të dy namazeve dhe se kjo është ndjekja e sunetit të Profetit (s.a.s.). Por nëse e lë xhumanë, atëherë duhet falur patjetër namazi i drekës, si çdo ditë tjetër. /insi.al/