Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

Leasing

Hyrje

Në radhë të parë ritheksojmë disa parime thelbësore:

– Çdo kontratë është e lejuar, për sa kohë që nuk përmban elemente të ndaluara nga feja islame.

– Një nga elementet më të rëndësishëm që e bën kontratën të pavlefshme është përfshirja e kamatës, gjë që është shumë e shpeshtë në sistemet financiare të sotme.

– Po ashtu, përfshirja në kontratë të elementeve që mund të bëhen shkak për konflikte apo mosmarrëveshje, si paqartësi apo hapësira të ndryshme të papërcaktuara, janë elemente që e bëjnë kontratën të palejuar.

– Pavarësisht se mund të ketë të njëjtin emërtim, çdo kontratë është unike dhe detajet e saj bëjnë diferencën me kontrata të tjera.

– Gjithsecili që interesohet të dijë nëse kontrata në fjalë është konform kritereve islame apo jo, duhet të interesohet në veçanti për situatën përkatëse dhe të mos bazohet në informacione të përgjithshme.

1. Çfarë është leasing?

Leasing është një sistem financimi me dy kontrata të njëpasnjëshme, qira dhe shitje. Ndryshe quhet leasing financiar, kontratë leasingu financiar ose kontratë qiraje financiare. Në gjuhën arabe është quajtur kontratë qiraje që përfundon me pronësi.

Leasing është një metodë financimi afatmesme që bazohet në dhënien me qira, në kuadër të një kontrate qiraje, të makinave, pajisjeve, mjeteve të transportit dhe mallrave të tjera të luajtshme apo të paluajtshme, për sipërmarrësit që kanë nevojë për to; ndërsa në përfundim të afatit të qirasë, parashikohet shitja e tyre kundrejt një çmimi të përcaktuar paraprakisht.

Ky investim kryhet nëpërmjet një kompanie, zakonisht bankë ose shoqëri leasingu, në formën e mëposhtme:

  • E blen një pasuri (makinë, pajisje, makineri, pronë etj.),
  • Ia jep me qira klientit për një periudhë të caktuar,
  • Klienti paguan këste mujore,
  • Në fund të kontratës, zakonisht ka:
    • ose mundësi ta blejë pasurinë,
    • ose ta kthejë,
    • ose ta rinovojë kontratën.

Shembull

Ti dëshiron një makinë por nuk e paguan menjëherë. Kompania e leasingut e blen makinën dhe ta jep me përdorim. Ti paguan këste për 3-5 vite. Në fund, makina kalon në pronësinë tënde, nëse kontrata e parashikon këtë.

Sigurisht në përgjithësi leasing synon, që në fund, pronësia e artikullit të blerë paraprakisht nga kompania financuese, t’i kalojë klientit. Sepse qëllimi është të ndihmosh personat që nuk kanë mundësi financiare për ta blerë artikullin menjëherë.

Në thelb, veprimi i kryer këtu përbëhet nga shitja e mallit me këste, me shtyrjen e kalimit të pronësisë deri në përfundimin e kësteve, dhe më pas transferimi i saj. Megjithatë, në bazë të kushteve është vlerësuar edhe shitje fillestare, ku kontrata e qirasë është vetëm në dukje e tillë, por në thelb është vetëm një trajtë e financimit të blerjes, si blerje me këste, porsi do të trajtohet më poshtë në pikën 2/b.

2. Situatat e kontratës leasing

Në bazë të llojit të kontratës, lindin disa situata të ndryshme. Disa shembuj janë si më poshtë vijon:

2.1. Dy kontrata të njëkohësishme

Leasing nuk lejohet nëse ka dy kontrata të njëkohësishme, pra s’mund të bëhen kontratë qiraje dhe shitjeje njëkohësisht, sepse këtë e ka ndaluar Profeti Muhamed (s.a.s.), duke thënë:

نَهَى رسولُ اللَّهِ صلى اللَّهُ علَيهِ وسلمَ عَن بيعتينِ في بيعةٍ‏ : صَفقةٍ واحِدةٍ

“I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ndaloi dy shitje në një shitje – (pra) dy marrëveshje në një marrëveshje të vetme.” Pra, thënë ndryshe, Profeti (s.a.s.) ndaloi që në një transaksion të vetëm të përfshihen dy kontrata (dy marrëveshje) njëkohësisht.”

Në këtë situatë, nëse leasing është një kontratë qiraje, që kushtëzon blerjen në fund, atëherë bëhet fjalë për dy kontrata në një trasaksion. Kjo është e ndaluar, sepse kjo kontratë është fasid (e pavlefshme).

2.2. Përfshirja e kamatës

Leasing nuk lejohet nëse në të gjendet kamatë. Sipas disa kotratave leasing, diferenca në çmimin e shitjes me leasing trajtohet si kamatë. Kjo e bën kontratën të ndaluar. Njëkohësisht, në disa raste të tjera, nëse klienti vonon këstet, atëherë bëhet fjalë për pagesë shtesë si ndëshkim për vonesën. Kjo gjithashtu është kamatë.

2.3. Dy kontrata të njëpasnjëshme

Leasing lejohet nëse ka dy kontrata të njëpasnjëshme. Pra, nëse është bërë një kontratë qiraje, e cila nuk kushtëzon blerjen, por në një moment të caktuar palët kanë të drejtë të mbyllin kontratën e qirasë dhe të bëjnë një kontratë të re, që mund të jetë shit-blerje.

2.4. Kontratë qiraje dhe hibe

Një kontratë qiraje që i mundëson qiramarrësit shfrytëzimin e sendit kundrejt qirasë së caktuar dhe për afat të caktuar, e shoqëruar me kontratë të veçantë dhurimi (hiba) të kushtëzuar me pagesën e plotë të qirasë; ose me premtim për dhurim pas pagesës së plotë

2.5. Kontratë qiraje me opsion blerjeje

Një kontratë qiraje ku pronari i jep qiramarrësit opsionin për ta blerë sendin me çmimin e tregut pas përfundimit të pagesës së të gjitha kësteve të qirasë.

2.6. Kontratë qiraje me premtim shitjeje

Një kontratë qiraje e shoqëruar me premtim për shitje të sendit pas pagesës së plotë të qirasë, me çmim të dakorduar nga palët.

2.7. Kontratë qiraje me të drejtë blerjeje

Një kontratë qiraje që i jep qiramarrësit të drejtën e opsionit për ta fituar pronësinë në çdo kohë që dëshiron, me kusht që shitja të realizohet në atë moment me kontratë të re dhe me çmimin e tregut (ose sipas marrëveshjes së kohës).

2.8. Në dukje dy kontrata, në të vërtetë një kontratë

Leasing lejohet nëse pavarësisht se duket sikur ka dy kontrata,në të vërtetë ka vetëm një kontratë dhe kjo dallohet nga kushtet. P.sh., pavarësisht se bëhet fjalë për një qiramarrës, në fakt ai ka të drejtat e një blerësi. Siç është që taksimi i shkon qiramarrësit dhe jo firmës që figuron si pronare. Apo fakti që nëse prona dëmtohet, atëherë përgjegjësia i mbetet qiramarrësit dhe jo firmës që figuron si pronare. Apo edhe mungesa e të drejtës së kompanisë për të mos e kaluar pronësinë në fund të kontratës së huasë. Në këtë rast pronari në letër është simbolik dhe praktikisht pronari real është klienti i kompanisë. Në të drejtën islame ka një parim ku thuhet:

العبرة في العقود للمقاصد والمعاني لا للألفاظ والمباني

“Në kontrata merret parasysh qëllimi dhe kuptimi, jo thjesht fjalët dhe forma e jashtme.”

Prandaj konkludojmë se, pavarësisht se në pamje të parë kjo duket si një kontratë qiraje, në fakt është kontratë shitjeje.

Në këtë rast ka rëndësi që vlerat të cilësohen dhe të jenë fikse, në mënyrë që mos të bëhet fjalë për kamatë. Pra shuma totale e blerjes së klientit, vlera e kësteve mujore dhe numri i kësteve duhen përcaktuar që në krye.

3. Diferenca në çmim mes blerjes së menjëhershme dhe asaj me këste

Sipas të drejtës islame është e lejuar që çmimi mes blerjes së menjëherëshme dhe asaj me këste të ketë diferencë, me kusht që të ketë dakordësi midis palëve. Kjo është një kontratë, ku ka një propozim dhe një pranim. Shitësi është i lirë të përcaktojë çmime të ndryshme për forma të ndryshme pagese. Prandaj është mëse e natyrshme që blerja me këste të kushtojë më shumë. Ashtu siç është e lejuar dhe e natyrshme edhe e kundërta, ku ju ofrohet një çmim i caktuar për shitje me këste dhe një çmim më i uliët në rast të blerjes së menjëhershme.

4. Përcaktimi i diferencës së çmimit sipas kursit të kamatës

Diferenca e çmimit të shitjes me këste në leasing mund të përcaktohet sipas indekseve të ndryshme financiare. Disa prej këtyre indekseve janë fikse dhe nuk ndryshojnë. Disa prej tyre janë të ndryshueshme. Marrja e kursit të kamatës si referencë për diferencën në çmime nuk përbën asnjë pengesë, sepse në këtë rast nuk bëhet fjalë për pagesë kamate, por vetëm për një kriter përcaktues të çmimit. Sidoqoftë, diferenca mes çmimit të blerjes së menjëhershme dhe blerjes me këste do të ketë një diferencë, që do të përcaktohet në bazë të një kursi. Në këtë rast është kursi i kamatës, por mund të ishte edhe kursi i euros apo dollarit.

Këshillohet me këmbëngulje, që të merren për referencë indekse të pandryshueshëm, sepse vetëm në këtë formë vlerat e pagesave mujore do të jenë të përcaktuara qartë.

5. Bashkëpunimi me bankat

Bashkëpunimi me bankat mbetet një problematikë permanente. Sepse banka punon me sistem kamate dhe kjo është e ndaluar rreptësisht në të drejtën islame. Por kjo është një çështje e ndarë nga vetë leasing, prandaj është një vendim i dytë, i cili nuk ndikon vetëm rastin në fjalë, por çfarëdolloj marrëdhënieje që ka myslimani me bankat.

Konkluzion

Akademia Ndërkombëtare e Fikhut Islam, në sesionin e saj të dymbëdhjetë, mbajtur në Rijad, Mbretëria e Arabisë Saudite, në 25 Xhumada el-Ahira 1421H – 1 Rexheb 1421H (23–28 shtator 2000), duke e trajtuar leasing si dy kontrata të ndara, si nëpikën 2.3 të lartpërmendur, ka arritur në konkluzionin se leasing lejohet nëse

  • do të ekzistojnë dy kontrata të ndara, secila e pavarur nga tjetra në aspekt kohor, në mënyrë që kontrata e shitjes të lidhet pas kontratës së qirasë; ose të ketë një premtim për kalim pronësie në fund të periudhës së qirasë.
  • qiraja të jetë reale dhe efektive, jo e maskuar për të fshehur një shitje.

Në këtë rast garancia do të mbetet mbi qiradhënësin. Prandaj, qiradhënësi mban përgjegjësi për çdo dëmtim që nuk vjen si pasojë e keqpërdorimit apo neglizhencës së qiramarrësit. Gjatë gjithë periudhës së qirasë zbatohen rregullat e qirasë; ndërsa në momentin e kalimit të pronësisë zbatohen rregullat e shitjes. Ndërkohë që shpenzimet e mirëmbajtjes jo-operative (strukturore/themelore) mbulohen nga qiradhënësi gjatë gjithë periudhës së qirasë.

Ngjashëm i është qasur edhe Këshilli për Çështje Fetare i Turqisë.

Në këtë rast mund të aplikohet një nga versionet e kontratave të parashtruata në pikat 2.3., 2.4., 2.5., 2.6., 2.7.

Ose plotësohen kushtet e një akti permanent shitjeje me këste, pavarësisht se në dukje aplikohet leasing si kontratë qiraje. Gjë që është trajtuar në pikën 2.8.

Së fundmi, mund të përmendim edhe faktin se disa dijetarë i janë qasur çështjes në këtë formë: Sidoqoftë sistemi leasing, nëse s’ka asnjë mënyrë tjetër për të kryer një blerje të domosdoshme, përveç kontratave me kamatë dhe leasing, më mirë është që të përzgjidhet kjo e fundit./insi.al/

Referenca

https://kurul.diyanet.gov.tr/soru/leasing-finansal-kiralama-sistemi-ile-alisveris-caiz-midir/0193c42d-98b0-75c2-aee4-9d3aa66918de

https://islamweb.net/ar/fatwa/6374/قرار-المجمع-الفقهي-بشأن-الإيجار-المنتهي-بالتمليك