Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

Leximi i Kuranit ne namaz

Parimi i përgjithshëm në lidhje me këtë çështje është shprehur në Kuranin Famëlartë, ku thuhet:

فَٱقْرَءُوا۟ مَا تَيَسَّرَ مِنَ ٱلْقُرْءَانِ

Lexoni prej Kuranit, çfarë e keni më të lehtë për ta lexuar... (Muzzemmil, 73:20)

Parimore është që personi të lexojë prej sureve dhe ajeteve që di më mirë përmendësh dhe të shmangë pasazhet që mund t’i ngatërrojë. Përndryshe kjo do ta shpërqendronte nga namazi dhe nga kryerja e një adhurimi, do të kthehej në një moment sforcimi.

Në anën tjetër, shprehet edhe fakti që leximi prej Kuranit dhe shikimi i tij janë adhurime më vete. Kështu që leximi nga Kurani në namaz, s’ka përse të pengojë adhurimin. Përkundrazi, i shton vlerë dhe sevape.

Shafiitë, malikitë dhe hanbelitë janë të mendimit që edhe nëse lexon nga Kurani, namazi është i vlefshëm. Ky mendim bazohet kryesisht në një transmetim ku thuhet se Dhekuani (r.a.), që ishte shërbëtor i Aishes (r.anha), drejtonte namazin për teravi, duke lexuar nga Kurani (Shih: Shirbini, Mugni’l-muhtaxh, 1/353; Ibn Sahnun, el-Mudeuuene, 1/224). Kjo është e vlefshme edhe për namazet farz, edhe për ato nafile. Imam Malik shton që në namazet farz kjo është një vepër e papëlqyeshme.

Kurse tek hanefitë, Imam Ebu Hanife është më strikti. Sipas tij ky veprim është problematik për dy shkaqe:

Pikë së pari, leximi nga Kurani, mbajtja e tij në dorë, hapja dhe mbyllja, vendosja diku dhe marrja përsëri në dorë apo kthimi i faqeve dhe shikimi në të konsiderohen veprime të shumta (amel kethir)[1] dhe kjo dëmton rregullsinë e brendshme të namazit (tadil el-erkan), respektimi i të cilës është vaxhib.

Një shkak i dytë i kundërshtisë ndaj veprës në fjalë vjen edhe nga fakti se personi, duke lexuar nga Kurani, është duke mësuar diçka prej tij (telkin). Dhe procesi i të mësuarit gjatë namazit e prish faljen. Prandaj, sipas Ebu Hanifes, nëse lexon nga Kurani dhe nuk je hafiz, atëherë namazi prishet.

Nisur nga kjo analizë, disa juristë kanë arritur në konkluzionin që, nëse personi është hafiz dhe Kuranin e vendos në një mbajtëse në një vend të lartë nga ku mund ta lexojë pa e prekur, atëherë lejohet në namazet nafile (suplementare).

Imamejn (Ebu Jusufi dhe Muhamed esh-Shejbani), janë edhe më fleksibël kur bëhet fjalë për namazet nafile. Sipas tyre, tek nafilet namazi quhet edhe nëse nuk është hafiz, por leximi nga Kurani është mekruh. Kjo për faktin se kur nuk është hafiz, do të ketë vështirësi në lexim dhe nga përpjekja për të lexuar pa gabime, do të shpërqendrohet nga namazi (Shih: Ibn Nuxhejmi, el-Bahr, 2/11; Tahavi, Muhtasar Ihtilaf el-Ulema, 1/208).

Kur personi është imam, atëherë duhet pasur parasysh hadithi profetik (s.a.s.), ku thuhet:

يَؤُمُّ القَومَ أقرَؤُهم لكِتابِ اللهِ، فإن كانوا في القِراءةِ سَواءً، فأعلَمُهم بالسُّنَّةِ، فإن كانوا في السُّنَّةِ سَواءً، فأقدَمُهم هِجرةً، فإن كانوا في الهِجرةِ سَواءً، فأقدَمُهم سِلمًا، ولا يَؤُمَّنَّ الرَّجُلُ الرَّجُلَ في سُلطانِه، ولا يَقعُدْ في بَيتِه على تَكرِمَتِه إلَّا بإذنِه

Le t’u prijë njerëzve në namaz ai që e lexon më mirë Librin e Allahut. Nëse janë të barabartë në lexim, atëherë ai që e njeh më mirë Sunetin... (Muslim, h.nr. 673)

Prandaj përparësi duhet t’i jepet kujt lexon më me lehtësi.

(Për më tepër informacion kliko: cilat-jane-kriteret-per-te-dale-imam-ne-namaz-dhe-si-eshte-radha)

Në rastin e joarabëve, duke mos e pasur arabishten gjuhën mëmë, leximi duhet bërë nga pjesët e Kuranit që lexon më lehtë. Imami në fjalë duhet të shmangë pjesët e Kuranit që nuk i lexon dot rrjedhshëm. Sepse mund të bëjë gabime të rënda që ndikojnë kuptimin e ajeteve, gjithashtu shtohet vështirësia e zbatimit të rregullave të texhvidit. Pa e kuptuar mund të bëjë gabime që shkaktojnë prishjen e namazit.

Ndërsa leximi i sureve, ajeteve apo duave duke parë në një letër apo në shkrime në mur gjatë namazit e prish namazin. Prandaj një veprim i tillë duhet shmangur.

Konkluzion

Bazuar në këto sqarime, duke qenë se kjo çështje është objekt mospajtimi mes dijetarëve, shmangia e leximit prej Kuranit në namazet obligative, si namazet farz dhe vaxhib, është sjellja më e kujdesshme dhe më e sigurt për besimtarin. Ai duhet të ruajë një ekuilibër në disiplinën e namazit dhe përqendrimin (hushunë) gjatë tij. Ndërsa në namazet nafile ka më tepër liri veprimi, prandaj lejohet falja e namazit duke lexuar nga Kurani.

Allahu di gjithçka më së miri. /insi.al/

[1] Amel kethir (veprime të shumta) janë quajtur veprime që bëjnë një shikues nga jashtë të mendojë se personi nuk është në namaz ose kryerja e disa lëvizjeve radhazi (si mbajtja e Mushafit, hapja, kthimi i faqeve) pa ndërprerje.