Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

borxh zekat kreditor

Në kushte normale, që zekati të konsiderohet i dhënë duhet të realizohet dorëzimi dhe kalimi i pronësisë (temlik) i pasurisë. Kjo zakonisht bëhet duke ndarë shumën e zekatit dhe duke ia dorëzuar drejtpërdrejt një personi në nevojë. Në rastin kur thjesht falet një borxh, nuk ndodh dorëzim real i pasurisë dhe për këtë arsye shumica e dijetarëve klasikë nuk e kanë lejuar që falja e borxhit të llogaritet si zekat.

Për më tepër, për të shmangur keqkuptime apo situata që mund ta detyrojnë njeriun t’ia japë zekatin pikërisht personit që i ka borxh, është më e udhës që borxhi dhe zekati të trajtohen veçmas. Zekati është një adhurim që kërkon sinqeritet dhe largim nga çdo llogari apo interes personal.

Megjithatë, në kohët tona, për shkak se marrëdhëniet e borxhdhënies janë shumë të përhapura, disa juristë bashkëkohorë i kanë dhënë përparësi mendimit të Hasan el-Basri, i cili ka qenë i mendimit se shuma e borxhit mund të llogaritet si zekat nëse bëhet fjalë për një marrëdhënie të thjeshtë borxhdhënieje dhe jo për marrëdhënie tregtare. Përjashtimi i rasteve tregtare bëhet për të shmangur mundësinë e abuzimit, që zekati të mos kthehet në një formë të planifikuar shlyerjeje borxhesh. Sepse mund të kthehet në punë të përvitshme që personat ta kthejnë zekatin në një trajtë shpagimi, duke bërë llogari të ngjashme me paramendim, ende pa iu caktuar vetë zekati si farz, apo edhe shuma e tij.

Nëse ndiqet ky mendim, është e rëndësishme që borxhliu të vihet në dijeni dhe të japë pëlqimin e tij. Kjo lidhet me parimin e temlikut dhe me respektimin e dinjitetit të tij. Pëlqimi (rida) mund të shprehet me fjalë ose thjesht duke pranuar këtë zgjidhje. Si dhe nëse ai nuk e pranon, atëherë detyrimi i zekatit nuk konsiderohet i përmbushur.

Një mënyrë tjetër që përmendet është, që personi t’i japë zekatin borxhliut dhe ai më pas t’i përdorë për të shlyer borxhin. Megjithatë, kjo nuk duhet të bëhet me kushtëzim apo marrëveshje të detyruar, sepse zekati nuk është një procedurë mekanike apo një llogari formale. Ky opsion ofrohet, sepse ndonjëherë kërkohet një zgjidhje e prnaueshme për ngërçe të caktuara, të cilat mund të zgjidhen lehtwsisht nëpërmjet paramendimit pozitiv dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. 

Pasi zekati është dhënë, borxhliu mbetet i lirë ta përdorë atë sipas nevojës së tij. Vetëm më pas kreditori ka të drejtë të kërkojë shlyerjen e borxhit në mënyrë të zakonshme.

Në çdo rast, është e rëndësishme që veprimet të bëhen me sinqeritet, drejtësi dhe kujdes për ndjenjat e tjetrit, duke synuar jo vetëm përmbushjen formale të detyrimit fetar, por edhe ruajtjen e frymës së mëshirës dhe solidaritetit që qëndron në thelb të zekatit.

Mund të veproni në mënyrën që ju bën të ndiheni më të qetë në ndërgjegje. Allahu e di më së miri. /insi.al/