Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

Rinia ne Islam

إِذْ أَوَى ٱلْفِتْيَةُ إِلَى ٱلْكَهْفِ فَقَالُوا۟ رَبَّنَآ ءَاتِنَا مِن لَّدُنكَ رَحْمَةًۭ وَهَيِّئْ لَنَا مِنْ أَمْرِنَا رَشَدًۭا ١٠

Të nderuar
besimtarë!

Rinia është pranvera e jetës së njeriut. Është periudha kur ëndrrat dhe mendimet burojnë e zhvillohen, kur forca dhe emocioni janë në kulmin e tyre. Nëse rinia shfrytëzohet mirë, ajo i sjell njeriut lumturinë e kësaj bote dhe të botës tjetër; përndryshe, kthehet në vite të kujtuara me pendim. Siç paralajmëron edhe Profeti ynë i dashur (a.s.) kur thotë:“Vlerësojeni rininë para se të vijë pleqëria!”

Në Kur’anin Famëlartë Allahu i Madhërishëm thotë:“Kur ata të rinj u strehuan në shpellë dhe thanë: ‘O Zoti ynë! Na jep nga mëshira jote dhe na lehtëso rrugën drejt shpëtimit e së vërtetës në këtë gjendje ku ndodhemi.’” (Kehf, 18/10.)

Ajo që tregohet në këtë ajet, lidhet me një grup të rinjsh të njohur si Banorët e Shpellës (Ashab el-Kehf), të cilët besuan në Allah dhe nuk hezituan të thonë të vërtetën. Njëkohësisht, në ajete të shumta Kuranore ne shikojmë shembuj të tillë të ngjashëm të përfaqësuar nga Profetë të ndryshëm. Si Ibrahimi (a.s.), i cili që në rini u përkushtua te besimi, ftoi popullin e tij me shembull të bukur dhe fjalë plot mësim. Si Ismaili (a.s.), i cili u sprovua me jetën e tij dhe tha: “O babai im! Bëj atë që të është urdhëruar; nëse do Allahu, do më gjesh prej atyre që bëjnë durim.” Si Jusufi (a.s.), i cili u hodh në pus nga vëllezërit, kaloi sprova të rënda, por nuk hoqi dorë nga bindja ndaj Zotit dhe tha:“Unë i kërkoj strehim Allahut.”Si Merjemja (a.s.), e cila iu përkushtua Zotit që në fëmijëri, pavarësisht fyerjeve e shpifjeve, ajo u bë shembull i besimit, besnikërisë dhe moralit.

I Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë se i riu që gjen gëzim e qetësi në adhurimin e Zotit është i riu ideal. Dhe ka lajmëruar se i riu që ruan nderin e tij dhe e ka zemrën të lidhur me xhaminë, do të jetë në hijen e Arshit të Allahut Ditën e Gjykimit. (Buhari, Ezan, 36; Tirmidhi, Zuhd, 53)

Rinia është periudha e ëndrrave, emocioneve, kërkimit dhe energjisë. Është koha më e vlefshme e jetës. Është momenti për të fituar lumturinë e kësaj bote dhe të botës tjetër, duke punuar pa u lodhur për të shtuar të mirën. Prandaj besimtari duhet të veprojë me vetëdijen se një ditë do të pyetet se si e ka kaluar kohën në këtë jetë dhe ku e ka kaluar rininë e tij.

Profeti Muhamed (a.s) në një hadith të transmetuar nga Ibn Abasi ka thënë:

قال رسولُ اللهِ صلَّى اللهُ عليه وسلَّم لرجلٍ وهو يَعِظُه : اغتنِمْ خمسًا قبل خمسٍ : شبابَك قبل هَرَمِك، وصِحَّتَك قبل سَقَمِك، وغناك قبل فقرِك، وفراغَك قبل شُغلِك، وحياتَك قبل موتِك

“Shfrytëzoi pesë gjëra para pesë të tjerave: Rininë tënde para se të arrijë pleqëria. Shëndetin para se të arrijë sëmundja. Pasurinë para se të vijë varfëria. Kohën e lirë para se të zihesh me punë. Jetën tënde para se të vijë vdekja.

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare!

Të rinjtë janë e ardhmja e një populli, pasuria dhe potenciali më i madh i tij. Shoqëritë që i rrisin të rinjtë me arsim dhe moral të mirë, kanë ndërtuar të ardhmen e tyre më së miri.

Profeti Muhamed (a.s.) na ka dhënë lajmin e mirë se ‘Allahu gjithmonë do të vazhdojë të rrisë “fidane” që i binden Atij në rrugën e Islamit.’ (İbn Maxhe, Mukaddime, 8)

Prandaj, për të mirën e vendit tonë dhe të umetit, duhet t’i kuptojmë të rinjtë, t’u japim vlerë, të mos i gjykojmë për mendimet, stilin e jetës, apo pamjen. Duhet t’i përqafojmë të gjithë. Duhet të jemi shembull që ata të gjejnë vetveten. Për një brez të ndërgjegjshëm, duhet t’i pajisim me dije të saktë fetare dhe kulturë. Nëse u qasemi të rinjve të sotëm ashtu si i Dërguari i Allahut u qasej dikur, dhe përfaqësojmë Islamin me metodën e tij, shpresohet që do të dalin edhe në këtë epokë djem dhe vajza të devotshëm, sinqertë dhe guximshëm si të rinjtë nga sahabët.

Ashtu si në çdo epokë, edhe sot ka probleme që e rrethojnë rininë tonë. Ka duar të liga që duan t’ua vjedhin ëndrrat, shpresat dhe energjinë. Kur ne i mbyllim kanalet e komunikimit me të rinjtë, dalin qindra “shpëtimtarë” të rremë, sidomos në botën virtuale. Një botë e çrregullt që duket tërheqëse dhe argëtuese por që mund t’i shkëpusë të rinjtë nga familja dhe shoqëria, t’i çojë drejt shkeljes së kufijve dhe t’i fusë në kurthin e varësive.

Motër dhe vëllai im i dashur i ri!

Ti tani je në momentet më të çmuara të jetës sate. Je e ardhmja dhe shpresa e kombit tonë të nderuar. Je pasuria dhe forca më e madhe që kemi. Ju meritoni një përkujdesje të veçantë, mbështetje dhe dashuri pafund.

Detyra e të gjithë neve, veçanërisht e të gjithë prindërve është të përpiqemi në maksimum që ju të rriteni si persona të dobishëm për familjen dhe shoqërinë, të lidhur me vlerat shpirtërore dhe kombëtare, me vetëdije të plotë dhe me ideale të larta fetare dhe kombëtare.

Le ta përfundojmë hutben me këtë ajet nga Kurani Famëlartë që flet për banorët e shpellës, shembuj të besimit dhe qëndrueshmërisë: “Pa dyshim, ata ishin disa të rinj që besuan tek Zoti i tyre, dhe Ne ua shtuam udhëzimin!” (Kehf, 18/13)

Allahu na mundësoftë një jetë dhe rini të begatë!